Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se deputeti socialist, Alket Hyseni u bë pronar i 11 mijë metrave katrorë tokë dhe më pas ortak në resortin turistik ‘Ionian Olea’ në Dhërmi, ndonëse konfliktet për tokën ishin denoncuar shpesh në Prokurori dhe në task-forcën e drejtuar prej tij.
Në qershor 2016, Këshilli Kombëtar i Territorit i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama miratoi lejen e zhvillimit për kompleksin turistik ‘Ionian Olea’ – një resort vilash dhe apartamentesh luksoze në bregdetin e fshatit Dhërmi në bashkinë Himarë.
Leja zhvillimore e kompleksit, që shtrihet mbi katër parcela toke bujqësore në plazhin e Drimadhesit, të regjistruara në zonën kadastrale 1481 dhe 1481-1739 është miratuar me kërkesën e zhvilluesve Mirela Papuli dhe Artan Dumi.
Dy nga katër parcelat ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian Olea’, të cilat kanë një sipërfaqe prej 5 mijë dhe 6 mijë metrash katrorë tokë bujqësore, janë në pronësi të zyrës ligjore ‘Hyseni & Associates’– e regjistruar në Tiranë dhe në pronësi të babait pensionist të deputetit Alket Hyseni.
Zyra ligjore ‘Hyseni & Associaties’ është drejtuar nga Alket Hyseni nga viti 2006 deri në vitin 2014, kur ai u zëvendësua në administrim nga kunati i tij, Idajet Çelaj. Nga viti 2014 deri në vitin 2016, Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të verifikuar tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.