Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe njëkohësisht deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, theksoi se çështja “Xhafaj” duhet të jetë kryefjala e diskutimeve në Komisionet parlamentare.
Referuar çështjes së Agron Xhafajt, i dënuar në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg, Tabaku theksoi se vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për 6 vite me rradhë ka hyrë në zyrat e shtetit shqiptar, pa i hyrë gjemb në këmbë!
“Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ekonomisë një javë më parë u diskutua çështja ‘Xhafaj’ çështje me mjaft interes publik, ku Partia Demokratike ka nxjerrë fakte të cilat implikojnë drejtpërdrejt Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj në mbrojtjen dhe sigurimin e imunitetit të të vëllait të tij Agron Xhafaj e ndjekur nga një vendim i Gjykatës së Kasacionit në Itali me 7 vite e 2 muaj burg.
Pasi mbaruam mbledhjen e Komisionit, për herë të parë mazhoranca mbrojti Ministrin Xhafaj edhe pas skandalit i cili prej dy javësh po trondit opinionin publik i cili shprehet i shokuar.
Ne këtu duhet të diskutojmë se si mundet që një person që ka një dënim nga Gjykata e Kasacionit në Itali hyn dhe del në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe regjistrojnë biznesin pa i hyrë gjemb në këmbë.
Si ka mundësi që një person i cili ka një dënim të formës së prerë shkon dhe ekstradohet pa e parë e dëgjuar askush dhe fshehtazi, ndërkohë që për 6 vite ka qenë në aktivitet të plotë tregtar me biznesin e tij në Vlorë, në menaxhim jo vetëm të biznesit të tij, por edhe bizneset e të tjerëve”, tha Tabaku.