Kur na ndajnë edhe tre ditë nga protesta e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një sërë takimesh, me grupin parlamentar dhe me krerët e rretheve.
Mësohet se si fillim, Basha zhvilloi mbledhje me grupin parlamentar dhe fill pas këtij takimi u ul në tryezë me krerët e degëve, ku diskutoi mbi detajet e organizimit të tubimit, në shenjë kundërshtie ndaj qeverisë.
Basha iu la porosi deputetet dhe strukturave e të rinjve që ditën e nesërme dhe të premten të shkojnë derë më derë për të takuar qytetarët për t’i ftuar në protestë si dhe për t’u shpërndarë fletëpalosjet.
Të shtunën në orën 11:00 opozita ka thirrur qytetarët në protestë, për të kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Që nga dita kur publikuan dosjen e plotë të dënimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, i cili rezultonte i dënuar si pjesë e një organizate të trafikut të drogës, demokratët kërkuan që ai të dorëhiqet.
Ndërsa ministri reagoi dhe u distancua nga veprimet e vëllait, deputeti i PD-së Ervin Salianji publikoi të tjera prova të forta, një audiopërgjim të vëllait të ministrit me një trafikant.
PD deklaroi se biseda e përgjuar ishte berë në kohën kur Xhafaj ishte ministër, duke shtuar se Agron Xhafaj bënte trafik droge nën hundën e vëllait ministër.