Nga "The Washington" e deri te “Associated Press”, kush janë prestigjozet që publikuan titujt "Rama ik"

Diel, 27 May 2018 16:04

Nga “Washington Post”, tek “Fox News”, “ABC News”, “Associated Press” etj., të gjitha mediat më prestigjioze amerikane dhe evropiane kanë pasqyruar protestën qytetare në Shqipëri si dëshmi e një revolte të madhe kundër qeverisjes Rama
‘Ka vetëm një rrugëdalje, kjo qeveri duhet të largohet dhe kjo vjen vetëm përmes bashkimit popullor’
Mediat e huaja kryesisht ato amerikane i kanë bërë jehonë protestës së opozitës këtë të shtunë. Në artikullin e vet për këtë ngjarje “Uashington Post” shkruan se mijëra protestues të opozitës shqiptare mbajtën një protestë antiqeveritare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për lidhje me krimin e organizuar.
Protestuesit të drejtuar prej liderit konservativ, Lulzim Basha marshuan përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit Tirana me thirrjet “Rama ik”. Gjatë protestës viheshin re prania e flamujve shqiptarë, të SHBA-së dhe atyre të Bashkimit Europian. Protestuesit gjuajtën me objekte të forta në drejtim të zyrës së Ramës dhe ndërtesës së Ministrisë së Brendshme.
‘Ka vetëm një rrugëdalje, kjo qeveri duhet të largohet dhe kjo vjen vetëm përmes bashkimit popullor’, ka deklaruar Basha. Disa prej protestuesve rrëzuan mbrojtëset e ndërtesës së Ministrisë së Brendshme dhe tentuan të çajnë kordonin e policisë. Demokratët publikuan edhe pamje të kryeredaktorit të gazetës së tyre “Rilindja Demokratike”, Blendi Kasmi, i cili mbeti i plagosur nga policia.
Protesta përfundoi në mënyrë paqësore pas dy orësh. Ndërkohë, Edi Rama reagoi në rrjetet sociale, duke falënderuar demokratët që nuk e mbështesin qeverinë, por që refuzuan të marrin pjesë në protestë. Me të njëjtën përmbajtje, protesta është pasqyruar edhe nga media “Fox News” me titullin: Marshimi i opozitës në Shqipëri për largimin e qeverisë. Nga ana tjetër edhe britanikja “Daily News” dhe amerikania “Abc News”, duke iu referuar “Associated Press” e kanë pasqyruar protestën e opozitës.

“Zëri i Amerikës”: Protesta bashkoi shqiptarët
Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan një tubim proteste së bashku me mijëra anëtarë dhe mbështetës të opozitës. Ata kanë kërkuar largimin nga postet të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas dyshimeve se ky i fundit ka favorizuar vëllain e tij për t’iu shmangur dënimit me 7 vjet burg burg për trafik droge nga drejtësia italiane. Protestuesit nga Tirana dhe nga krahina të tjera u bashkuan në shëtitoren “Dëshmoret e Kombit” me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Rama ik, Xhafaj Ik”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë për lidhje të ngushta me grupet kriminale, që i mbron duke shfrytëzuar postin. “Kjo qeveri nuk mund të çlirohet vetë nga krimi, as do ta luftojë vetë drogën. Ka vetëm një rrugë: largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar. Sot jemi mbledhur me qindra mijëra në këtë shesh për të treguar se jemi europianë dhe si europianë i qëndrojmë përballë qeverisë më antieuropiane që ka sot Europa. Dielli për shqiptarët lind nga Perëndimi. Përpjekja jonë është beteja mes njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që kanë kapur drejtësinë, beteja mes njerëzve që duan siguri dhe rend, dhe aleancës së pushtetit me krimin”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ai tha se autokracia, korrupsioni nuk pranohen, se nuk mbyllen sytë para krimit dhe drogës. “Rilindja është një projekt anti-kombëtar, që ndërtoi një sistem kriminal politik dhe ekonomik. Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga politika, por nga pazaret, nuk buron nga vota, por nga paraja, nuk buron nga vullneti i njerëzve të lirë, por nga forca e dhunës”, tha ai.
Pas fjalimit të zotit Basha, protestuesit marshuan në shëtitore deri te Sheshi “Nënë Tereza”. Ata patën përplasje me policinë te Kryeministria dhe te Ministria e Brendshme, teksa hidhnin vezë dhe tymuese, por drejtuesit e opozitës i larguan vetë njerëzit nga këto skena.

Modifikuar më Diel, 27 May 2018 16:08
Login to post comments