Kryeministri Edi Rama nuk po bind dot as anëtarët e Partisë Socialiste Evropiane se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Rama i është përgjigjur pretendimit të dy socialistëve holandezë, Kati Piri dhe Lodewijk Asscher, duke thënë se procesi integrues është rruga e vetme për tejkalimin e shqetësimeve që ata ngrenë.
Piri dhe Asscher kanë deklaruar se Shqipëria dhe pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë gati të bëhen pjesë e unionit. Ata kanë thënë gjithashtu se kryeministrat në këto shtete nuk përfaqësojnë vlerat evropiane. Lodewijk Asscher drejton aktualisht Partinë e Punës në Holandë, një parti opozitare që deri përpara zgjedhjeve të 2017-ës ishte në qeveri me Mark Rutte, kryeministër i këtij shteti. Asscher ka mbajtur postin e zv/kryeministrit dhe ministrit për Çështjet Sociale, ndërkohë që partia që ai drejton është pjesë e Partisë Socialiste Evropiane, njësoj si Partia Socialiste e Shqipërisë, që drejtohet nga Edi Rama.
Kati Piri është anëtare e Parlamentit Evropian, e zgjedhur aty si propozim e Partisë së Punës.
Socialistët holandezë i bashkohen me këtë qëndrim kryeministrit të djathtë, Mark Rutte, i cili ka shprehur më herët qëndrimin e Qeverisë së tij për të mos lejuar hapjen e negociatave me Shqipërinë.