Deputeti i PD, Enkelejt Alibeaj, ka deklaruar në Komisionin e Ligjeve se " ne si opozitë do të bëjmë maksimumin" për Shqipërinë lidhur me hapjen e negociatave dhe se “numërimi mbrapsht” tashmë ka filluar.
"Ne si opozitë do të bëjmë maksimumin, jo duke e fshehur të vërtetën, - tha Alibeaj, - por sepse kjo është mënyra e vetme sesi europianët na besojnë dhe secili të marrë çmimin për atë që ka bërë. Deri më 28 qershor, numërimi mbrapsht fillon që sot.
Të paktën për moral, për përgjegjshmëri politike, ministri i Brendshëm duhet larguar nga detyra. Sepse nuk shkon që vëllai i ministrit tonë të Brendshëm është me pranga. Si mund të shkojmë në Europë kur ministri i Brendshëm ka kapur drejtësinë?!
Ç’luftë ndaj krimit e korrupsionit flasim kur ministri i Brendshëm udhëheq krimi? Kemi mundësi të rikuperojmë nga imazhi ynë, duke larguar një ministër të Brendshëm?! Nuk paska mes jush njerëz që nuk kanë asnjë lloj lidhje?! Ka sigurisht! Kjo është ftesë për ta parë realitetin!
Ky është një nga momentet më delikate të së ardhmes europiane. Pas kësaj do të jetë shumë e vështirë për negociatat. Sot jemi 30 ditë përpara deri ditën kur europianët të vlerësojnë në e meritojmë apo jo!"
Ndaj Alibeajt ka reaguar kryetari i komisionit, deputeti socialist Ulsi Manja, me ironi: "Në fakt numërimi ka filluar mbarë se ne presim një rezultat pozitiv",- tha ai.