Vokshi: Dhuna ndaj Bledi Kasmit u urdhërua, policia...

E mërkurë, 30 May 2018 18:33

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka treguar me detaje dhunën e ushtruar ndaj kryeredaktorit të Rilindjes Demokratike Bledi Kasmi, në protestën e organizuar nga opozita ditën e shtunë.

Vokshi e cila ishte shumë pranë Kasmit, ka thënë në Syri.net se sulmi ndaj kryeredaktorit të RD-së ishte i urdhëruar.

Sipas deputetes demokrate nuk ishin protestuesit ata që provokuan situatën, por policia, e cila avancoi në një moment që situata ishte ende e qetë dhe e paagravuar.

“Ju falënderoj, pasi ju ishit një nga mediat e para që u solidarizuat me kolegun tuaj Bledi Kasmi i cili u dhunua nga policia. Pati media të urdhëruara të cilat jo vetëm nuk bënë detyrën e tyre për të mbështetur kolegun e tyre, por u munduan edhe të manipulonin atë që ndodhi. Unë kam qenë shumë afër Bledit dhe jam dëshmitare okulare e gjithçkaje që ndodhi, ndaj ndihem jo vetëm e zëmëruar për atë dhunë e cila nuk ishte e nevojshme, pasi situata nuk ishte e agravuar, protestuesit vetëm po shtyheshin. Në ato momente kanë qenë forcat policore të cilat kanë avancuar.

Unë nuk arrij ta kuptoj se si një polic nga radha e dytë të sulmoj kryeredaktorin e RD-së. Unë kam bindjet që sulmi ishte i targetuar. Unë i kam parë në disa plane pamjet. JO vetëm që isha prezent, por unë pashë se sa e thellë ishte plaga. Vetëm një sulm i urdhëruar dhe i targetuar, mund të shkaktonte plagë të tilla.

Di të them që në momentin që përfundoi mitingu dhe kryetari tha të shkonim tek Sheshi Skënderbej, dhe ne ishim nisur për tek sheshi, një pjesë e protestuesve lëvizi barrierat, pasi turma ishte shumë e madhe dhe nuk i mbante dot Bulevardi”, u shpreh Vokshi.

Modifikuar më E mërkurë, 30 May 2018 18:45
Login to post comments