Angelina Jolie beson se dhuna seksuale prek të dyja gjinitë. Ndaj ajo hap gjithmonë një diskutim me fëmijët e saj kur bie fjala për këtë temë. Aktorja, në një intervistë për Marie Claire, foli për stigmën që rrethon viktimat e sulmeve seksuale dhe përdhunimit.
“Dhuna seksuale është ende një temë tabu. Femrat dhe meshkujt e përdhunuar, dhe fëmijët e lindur nga përdhunimi shpesh trajtohen sikur të jenë ata që kanë bërë diçka të gabuar. Ata nuk pranohen nga shoqëria dhe mbulohen me turp, ndërsa dhunuesit e tyre mbeten të pandëshkuar”, –tha ylli i Hollywood-it. “Kjo duhet të ndryshojë dhe thyerja e kësaj tabuje është pjesë e kësaj.”
Megjithëse Jolie punon shumë për të pasur një ndikim të rëndësishëm tek njerëzit në gjithë botën, ajo e di gjithashtu se informimi duhet të fillojë në shtëpi. Kjo është arsyeja pse aktorja flet për këto tema të vështira me gjashtë fëmijët e saj Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox e Vivienne.
“Unë nuk flas vetëm me vajzat e mia. Flas edhe me vëllezërit e tyre. Ky është ndoshta dallimi më i rëndësishëm. Nuk është problem vetëm për gratë. Zgjidhja është të punosh me femrat dhe me meshkujt njëkohësisht”, –tha 43-vjeçarja. “Burrat e djemtë janë gjithashtu viktima të këtyre krimeve. Dhe të gjitha shoqëritë duhet të jenë të qarta për të mos toleruar këtë sjellje”