Këngëtarja Nora Istrefi ishte e ftuar mbrëmjen e së shtunës në programin “Dua të të bëj të lumtur” për të lumturuar një gjyshe heroinë, por u bë dhe vet pjesë e surprizave. Pasi sqaroi se hiti i saj “Anna”, nuk kishte lidhje me jetën e saj personale dhe se femër tjetër nuk e kishte vënë në rrezik martesën me Robert Berishën. Surpriza e parë për Norën ishte një video në të cilën vajza e saj, Rene këndonte një pjesë të këngës “Anna”.
Surpriza e dytë ishte një video-mesazh nga ish-bashkëshorti i saj, artisti i njohur Robert Berisha i cili u shpreh: “Pavarësisht se kënga ime e fundit tregon se ajo nuk është më pjesë e rrugës time, dua të them publikisht që ti Nora dhe Rene do të jeni gjithmonë rruga e jetës sime!”.
Gjatë bisedës të zhvilluar në studio, Nora rrëfeu se me Robertin kanë një marrëdhënie shumë të mirë dhe se kanë shumë respekt për njëri-tjetrin. “Ndarja jonë nuk pati arsye tjetër përveçse asaj të konsumimit të një lidhje gati 15 vjeçare”, tha Nora. Surpriza e fundit që e befasoi ishte nëna e saj, këngëtarja e njohur e muzikës popullore, Suzana Tahirsylaj, e cila këndoi për herë të parë pas 17-vitesh. Këngëtarja Nora Istrefi pohoi se kjo ishte hera e parë që e dëgjonte nënën e saj të këndonte që pas ndarjes nga jeta të babait të saj.