Babai i Meghan Markle do ta shoqërojë atë në altar kur të martohet me Princin Harry më vonë gjatë këtij muaji.
Ai dhe nëna e Markle, Doria Ragland, do të takohen me Mbretëreshën dhe Dukën e Edinburgut, e më tej edhe me Princin Charles, Dukeshën e Cornwallit Camilla, si dhe Dukën e Dukeshën e Kembrixhit.
Ndërkohë, Meghan nuk do të shoqërohet as nga një femër fisnike e pamartuar, teksa edhe shoqëruesit e shoqërueset e saj do të jenë të gjithë fëmijë.
Markle “ka një grup tejet të ngushtë shoqërie dhe nuk dëshiron të bëjë diferencime mes tyre”, deklaroi sekretari për komunikimin i pallatit Kensington, Jason Knauf. Pallati mbretëror publikoi disa detaje të reja të dasmës kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbajtja e ceremonisë në kështjellën “Windsor” më 19 maj.
Markle do të udhëtojë me të ëmën drejt kishës me një automjet, ndërsa Princi Harry do të mbërrijë atje me të vëllain, Princin William, të cilin e zgjodhi si “shokun e tij më të mirë” muajin e kaluar.
Princi i sapolindur Louis, i cili do të jetë vetëm 3-javësh atë ditë, nuk besohet të jetë në dasmë, ndërsa Princi George dhe Princesha Charlotte po. Një tjetër detaj është se Duka i Edinburgut, 96 vjeç, edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në kockën e legenit një muaj më parë dhe mungoi në shërbesa të tjera mbretërore, do të marrë pjesë në dasmën e Harryt.
Gjithsesi, ajo që është më e rëndësishmja është se vendndodhja dhe data e muajit të mjaltit të çiftit të ri nuk është zbuluar.