“Të gjithë fajin ma vini mua, kundër Ukrainës do të jetë një tjetër melodi”. Kështu u shpreh pak ditë më parë trajneri i kombëtares Christian Panucci për humbjen 0-3 kundër Kosovës. Por sot fjalët e Panucci-t ranë poshtë, pasi Kombëtarja u mund sërish, këtë herë kundër Ukrainës me rezultatin 1-4. Kaq ka mjaftuar që për trajnerin të vihet në dyshim e ardhmja. Përpos shumë kritikave të analistëve në vendin tonë, është italiania “Calciomercatto.it” ajo e cila shkruan se Panucci është në prag shkarkimi.
“Pas humbjes ndaj Kosovë të martën (3-0), Shqipëria nuk arrin që të ngrihet as ndaj Ukrainës, e cila fitoi 4-1. Me këto shifra negative, trajneri italian duket në rrezik shkarkimi, duke marrë në konsideratë që nga ardhja e tij ka fituar vetëm me modestët e Lihtenshtejnit dhe miqësoren ndaj Turqisë”, shkruan portali italian.