Edhe pse kanë kaluar 14 ditë nga finalja e “Champions League”, polemikat për ndërhyrjen e Sergio Ramos ndaj Muhamed Salah nuk kanë të ndalur.
Këtë radhë ka qenë vetë sulmuesi egjiptian i Liverpool, ai që ka reaguar për herë të parë për këtë rast, duke iu përgjigjur deklaratave të Ramos.
Ramos kishte thënë se kishte folur me Salah dhe se ky i fundit mund të vijonte ndeshjen, por kjo nuk u pranua aspak nga egjiptiani.
“Është e vërtetë që shprehu keqardhjen, por nuk i thashë për asnjë moment se isha mirë. Nuk e di nëse e ka bërë ndërhyrjen me dashje apo jo, por më duket argëtuese. Dikush që më parë të ka bërë për të qarë, tani të bën të qeshësh. Ndoshta mund të tregojë edhe se kur do jem gati për Botërorin”, deklaroi Salah, i cili nuk i ka mirëpritur fjalët e Sergio Ramos.
Kapiteni i Realit të Madridit, ndërhyri ndaj sulmuesit të Liverpol, Mohamed Salah, duke e dëmtuar në shpatull dhe duke bërë që egjiptiani të lërë finalen në lot, zëvendësim që ndikoi edhe në lojën e ekipit anglez në minutat në vijim.