Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do të mbeten gjatë në mendjen e shqiptarëve për festimin e golave ndaj Serbisë në Botëror, por me kërkesë të këtyre të fundit FIFA ka hapur një hetim për 2 futbollistët me pretendimin se ka prapavijë politike.
Për kërkesën e Serbisë ka reaguar sot presidenti i FSHF-së, Armando Duka.
Në rrjetet sociale Duka këtë veprim e ka cilësuar sa qesharak aq edhe primitiv.
Statusi i Armando Dukës
Futbolli është një lojë që ka emocione të forta dhe të bukura. Në çdo ndeshje të Botërorit shikon mënyra të ndryshme të festimit të golave. Edhe Xhaka e Shaqiri festuan në mënyrën e tyre golat e shënuar. Simboli i Shqiponjës nuk është aspak një simbol i ndaluar në asnjë vend të Botës. Nuk është simbol lufte, urrejtjeje dhe diskriminimi. Kërkesa për investigim në FIFA për mënyrën e festimit të Xhakës dhe Shaqirit është, sa qesharake aq edhe primitive.
Simboli i Shqiponjës në Flamurin tonë kombëtar nuk ka pse të shqetësojë askënd!