Ylli i Argjentinës, Lionel Messi, është i aftë për gjithçka. Kështu mendon portieri i Francës, Steve Mandanda, para përplasjes së dy skuadrave kombëtare në 1/8 finale të Kupës së Botës në Rusi. Messi, 31 vjeç, shënoi golin e tij të parë në “Rusia 2018” në fitoren vendimtare të Argjentinës, 2-1 ndaj Nigerisë, të martën.
Sulmuesi i Barcelonës është ende në formë të lartë, pavarësisht kritikave që ka marrë në këtë turne, ndaj Mandanda e di se çfarë është i aftë të bëjë Messi në ndeshjen e së shtunës, në Kazan. “Ne duhet të mbrojmë mirë, pranë njëri-tjetrit, edhe pse Messi është në gjendje të bëjë gjithçka, – tha portieri francez në një konferencë shtypi.
– Ne e dimë këtë, jemi të paralajmëruar. Kemi lojtarë në ekipin tonë, që kanë luajtur disa herë me të, ose kundër tij, në La Liga. Ne e dimë atë që na pret të shtunën, por kemi armë për t’u mbrojtur mirë dhe për ta lënduar kundërshtarin”.
Argjentina luftoi në fazën e grupeve në Rusi, duke pasur nevojë për fitoren e fundit, që erdhi nga një gol i fundmë i Marcos Rojos kundër Nigerisë, për të përparuar të raundin me eliminim direkt të Botërorit. Mandanda tha se kishin ende kohë për ta studiuar skuadrën e Jorge Sampaolit, por kërkoi shumë kujdes ndaj Messit:
“Unë nuk kam bërë një analizë të duhur të stilit të Argjentinës. Por, ne të gjithë e dimë se kanë një lojtar, që është i aftë për gjithçka. Argjentinasit kanë kualitet, mund të sulmojnë nga të gjitha anët, kishin vështirësi të kualifikoheshin, por e kanë bërë këtë”.