Leo Messi u eliminua nga Kupa e Botës “Rusi 2018”, pasi kombëtarja e Argjentinës u mund 4-3 nga Franca, ndeshje ku sulmuesi i Barcelonës ishte shpesh në hije edhe pse në fund regjistroi dy asist. Trajneri i kombëtares franceze Didier Deschamps ka rrëfyer se ka patur një skemë për ta mbajtur Messin sa më larg pjesës tjetër të skuadrës, për të limituar në maksimum topat në adresë të fenomenit.
“Sampaoli donte t’i linte sa më shumë liri veprimi në fushë, në mënyrë që të vinte pas mesfushorëve tanë, por ne kishim planifikuar gjithçka dhe u adaptuam me këtë skemë. E limituam në maksimum në veprimet e tij me topin. Kante ishte personi i ngarkuar për t’i qëndruar gjithnjë nga pas, në markimin “një me një”, deklaroi trajneri i kombëtares së “gjelave”.
Më tej, Deschamps tregon ndryshimet e bëra gjatë lojës për të markuar Messin. “Kishim dy mundësi: Nga njëra anë, të evitonim sa më shumë që ai të merte topa nga pjesa tjetër e skuadrës dhe ia dolëm mbanë, duke e mbajtur shpesh larg aksioneve sulmuese të Argjentinës. Kur merrte topin e sulmonim si nga para ashtu dhe nga pas. Ai ishte objekt i veçantë mbikqyrje për ne”, tha trajneri.
“Kjo mënyrë loje funksionoi më mirë pas avantazhit të Argjentinës edhe pse kishim vështirësi t’u merrnim topin. Ne e dinim mirë se Messi bashkëpunonte shumë me Mascherano dhe Banega, një treshe që kalonte çdo top, ndaj premë furnizimet e tyre karshi Messit, duke e detyruar që të mos influenconte shumë. Nëse donim që Messi të ishte inaktiv, duhej të bllokonim dy të tjerët”, tha Deschamps.