Thiago Silva nuk është i frikësuar nga kundërshtari i radhës në Botërorin e Rusisë. Brazili mundi Meksikën 2-0 në Samara, për të siguruar ballafaqimin me Belgjikën në çerekfinale të Kupës së Botës. Brazili fitoi në stadiumin Cosmos në sajë të golave të Neymar dhe Roberto Firmino, pasi pesë herë fituesit e këtij trofeu treguan fuqinë e tyre në skenën më të madhe, edhe një herë.
Ndërkohë, “Djajtë e Kuq” shfaqën nivelin e tyre të fortifikimit, duke u ngritur nga një disavantazh 2-0 në fillim të pjesës së dytë, për ta mbyllur me fitoren 3-2 në minutën e fundit. Qendërmbrojtësi 33-vjeçar renditet si një nga lojtarët më me përvojë të ekipit të tij dhe, pavarësisht se pranon respekt të madh për cilësinë e Belgjikës, ai mendon se “Selecao” është favorite për të pasur sukses.
“Belgjika është shumë e fortë fizikisht dhe teknikisht, – tha Thiago Silva. – Ajo meriton të luajë në çerekfinale. Unë mendoj se në të gjitha ndeshjet, Brazili është favorit, por ne e dimë se kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të punojmë shumë dhe të japim gjithçka, më të mirën, në qoftë se duam të fitojmë titullin. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të pushojmë, sepse ndeshja e së premtes do të jetë edhe më e vështirë”.
Ndërkohë, Neymar tregoi se mund të kthehet në më të mirën, shënoi golin e dytë në këtë Botëror, por sërish kritikohen sjelljet (simulimet) e tij në fushë. Thiago Silva e mbrojti bashkëlojtarin e tij, pasi u akuzua se rrëzohet lehtësisht në çdo ndërhyrje. “Kjo është normale, sepse Neymar ka shumë cilësi, – shtoi kapiteni i Brazilit. – Lojtarët që mbrojnë atë bëjnë faje, sepse gjithmonë është e vështirë ta markosh Neymarin dhe t’ia marrësh topin pa bërë faull, por ishte një lojë e vështirë”.
Silva, gjithashtu, lavdëroi Meksikën për përpjekjet e saj, megjithëse ishte i qartë se Brazili ishte më meritori nga të dyja palët për të ecur përpara në çerekfinale: “Meksika e meritonte të ishte në 1/8 finale të Botërorit, sepse tregoi një lojë të mirë. Por, vetëm një ekip vazhdon më tej dhe ne e meritojmë, pas performancës sonë”.