Skandaloze/ “Lumë” kërcënimesh në 24-vjetorin e vrasjes së Andres Escobar

E mërkurë, 04 July 2018 13:53

Kolumbianët kanë bërë thirrje për qetësi natën e kaluar, pasi dy lojtarët që humbën mundësinë të shënonin gol nga 11 metrat kundër Anglisë morën ofendime e deri në kërcënime me vdekje nga tifozë të irrituar në rrjetet sociale.

Mesazhe tejet të ashpra që shenjestronin Mateus Uribe dhe Carlos Baccan nisën të shfaqeshin brenda pak minutave pasi Kolumbia u eliminua nga Kupa e Botës, pas ekzekutimit të penalltive.

Goditja e Uribes u ndal nga traversa, ndërsa ajo e Baccas u shpëtua nga portieri i Anglisë, heroi i ndeshjes Pickford.

Postimet e pazakonta, shumica e të cilave kundër Baccas, pasi humbja e tij u vlerësua si “më e keqja”, paralajmëronin futbollistët se do të ishin të vdekur, e madje edhe u bënin thirrje të vetëvriteshin, nëse do të ktheheshin në vendin e Amerikës Jugore.

Mesazhet kërcënuese u bënë pavarësisht hetimit policor ndaj kërcënimeve të mëhershme për vdekje ndaj lojtarit kolumbian, Carlos Sanchez, i cili u largua me karton të kuq pas vetëm 3 minutash në ndeshjen hapëse kundër Japonisë.

Shumë tifozë të apasionuar, gjithsesi shfrytëzuan rastin të kujtonin se dje ishte 24-vjetori i vdekjes së Andres Escobar, një mbrojtës kolumbian që u qëllua për vdekje pasi shënoi një autogol që eliminoi Kolumbinë nga Kupa e Botës së vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara.

Login to post comments