Klubi i Skënderbeut ka zyrtarizuar sot trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm. Siç edhe pritej pas largimit të Ilir Dajës nga drejtimi i korçarëve, të cilët këtë vit nuk do marrin pjesë në Europë, drejtimi iu besua Orges Shehit, ish-portieri i cili ka mbajtur veshur për 8 vite këtë fanellë.
Lajmin është bërë i ditur nga vetë klubi i Skënderbeut me anë të një postimi në rrjetet sociale. Gjatë prezantimit të trajnerit Shehi, presidenti Takaj tha: “I besuam Shehit, pasi ishte lojtari me më shumë përvojë te Skënderbeu. Kemi besim se ai do të bëjë mirë edhe si trajner. Skënderbeu do të luftojë sërish për titullin kampion, por lufta jonë më e madhe është me UEFA-n, që besoj se do ta fitojmë. Presim lojtarë të tjerë, që do të jenë të rinj, pasi kjo është politika jonë. Duam lojtarë, që t’i rrisim dhe më pas t’i shesim, si në rastin e Olainkës, nga i cili mund të fitojmë sërish, pasi do të shitet nga klubi aktual”.