Zhgënjimi nga eliminimi në Botërorin e Rusisë nuk ka mjaftuar që Jorge Sampaoli të humbasë postin e tij si trajner i Argjentinës.
Edhe pse faktikisht, gjatë Botërorit u përfol se lojtarët me Messin në krye dolën kundër vullnetit të tij dhe u aludua edhe se e përcaktuan ata formacionin për ndeshjet e luajtura pas barazimit 1-1 me Islandën, sipas asaj që raporton “Olè”, trajneri është konfirmuar në postin e tij deri në Kupën e Amerikës të vitit të ardhshëm.
Një vendim befasues ky, në qendër të të cilit, sipas medieve të vendit amerikano-latin, qëndrojnë motivet ekonomike. Përveçse nuk kanë ndonjë alternativë tjetër për t’u marrë në konsideratë, Federata argjentinase e Futbollit (AFA) thuhet se nuk dëshiron t’i paguajë trajnerit klauzolën e plotë për prishjen e parakohshme të kontratës, që do të nënkuptonte një shumë prej 7 mln eurosh.
Pavarësisht se e siguroi me shumë vështirësi kualifikimin nga grupi, e u ndal në fazën e 1/8-ave të “Rusi 2018”, ku u eliminua nga Franca, duket se Sampaoli do të vijojë të mbetet trajner i Argjentinës. Zgjedhja thuhet të jetë bërë nga Claudio Tapia dhe Daniel Angelici, respektivisht president dhe zv.president të “AFA”-s, të cilët kanë mbajtur parasysh mbi të gjitha peshën e kontratës aktuale të trajnerit, e cila i skadon në vitin 2022.