Kroacia takohet me Anglinë në gjysmëfinalen e Botërorit të futbollit të mërkurën në Moskë. Duelet kokë më kokë mes lojtarëve pritet të jenë vendimtare në këtë sfidë. Disa prej dueleve më të mëdha që priten në këtë sfidë janë:
Luka Modriq - Jordan Henderson
Luka Modriq është boshti i kreativitetit të Kroacisë dhe efektshmëria e organizatorit të lojës së Real Madridit në Moskë do të jetë kyç për shpresat e kroatëve për të kaluar në finale të botërorit për herë të parë.
Duke funksionuar në dyshe me mesfushorin e Barcelonës, Ivan Rakitiq, Modriq do të dalë në fushë me shpresë për të dominuar pjesën qendrore të fushës dhe të ndërtojë lojën që i mundëson atij të lidhet me sulmuesit. Nuk përjashtohet mundësia që Modriq të kërkojë edhe vetë hapësirë për të dënuar anglezët me goditjet që ka.
Henderson, nëse sërish do të aktivizohet si mesfushori i vetëm defensiv i Anglisë, duhet të jetë në formën më të mirë të tij për të mbajtur të qetë yllin kroat.
Harry Kane - Dejan Lovren
Harry Kane ka shënuar tre gola për Tottenhamin ndaj Liverpoolit të Dejan Lovrenit edicionin e kaluar. Dy prej tyre i shënoi në fitoren 4:1 në tetor të vitit 2017, kur seria e gabimeve të kroatit fatkeq Lovren bëri që ai të zëvendësohet pas vetëm 31 minutave lojë.