Dy përfaqësueset që kanë pritur shumë gjatë për të fshirë kujtimet e humbjeve në gjysmëfinale të Kupës së Botës, takohen ndërmjet vete të mërkurën në Moskë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të botërorit "Rusia 2018".
Kroacia e Anglia kështu, më në fund, e kanë rastin për të bërë një hap tutje. Ndeshja luhet në stadiumin "Luzhniki" nga ora 20:00.
Paraqitja e fundit e Anglisë në këtë fazë ishte në Botërorin e vitit 1990, kur humbi pas penalltive nga Gjermania Perëndimore në Torino. Tetë vjet më pas, në botërorin e parë si shtet i pavarur, Kroacia në gjysmëfinale pësoi nga Franca nikoqire, që më pas e fitoi botërorin.
Derisa shumë njerëz nëpër botë vlerësojnë se rrugëtimi i papritur i Kroacisë deri në gjysmëfinale ishte sukses i madh, brenda shtetit kroat shumë njerëz ndajnë mendimin e përzgjedhësit të atëhershëm Miroslav Blazheviq se ajo humbje në gjysmëfinale ishte një mundësi e humbur. Edhe Anglia, që në përbërje kishte Gary Linekerin e Paul Gascoignen, vlerësonte se ka mundur të shkonte deri në fund në atë botëror të 28 vjetëve më parë.