Ish-kapiteni i Gjermanisë, Phillip Lahm ka kritikuar trajnerin e kombëtares gjermane, Joachim Low duke theksuar se ai duhet të ndryshojë stilin e udhëheqjes në mënyrë që të shmangë dështime të tilla.
Kampioni i Botës më 2014, u eliminua në mënyrë shokuese nga Botërori 2018 në fazën e grupeve, duke u mposhtur nga Koreja e Jugut në ndeshjen e fundit të grupit, transmeton Koha.net.
Pas eliminimit nga Botërori u ngritën dyshime për të ardhmen Lowit, megjithatë Shoqata e Futbollit të Gjermanisë i dha mbështetje atij për të vazhduar si trajner i kombëtares.
Lahm, që udhëhoqi Gjermaninë drejt triumfit më 2014, beson se tani është koha për të ndryshuar stili i udhëheqjes nga ana e Lowit.
“ Jam i bindur se Low duhet ta ndryshojë stilin e udhëheqjes së tij kolegjiale e viteve të fundit nëse dëshiron që sërish të ketë sukses me gjeneratën e re”, është shprehur Lahm për LinkedIn. “Kjo nuk është shenjë e dobësisë, por e zhvillimit të mëtutjeshëm. Ai duhet t’iu tregojë individëve që janë përgjegjës për gjithë ekipin”.