Ata ishin njohur 14 vite më parë në një lokal sportiv në Chelyabinsk, në Rusi.
Dashuria për futbollin i bashkoi. Arsen 40 vjeç dhe Lyudmila 37 vjeç ranë në dashuri me njëri-tjetrin pikërisht gjatë Botërorit të vitit 2002. Arsen është tifoz i Barcelonës dhe mbështet Messin. Ndërsa Lyudmila është tifoze e Real Madrid dhe fanse e Cristiano Ronaldo. Por simpatia për dy lojtarët më të mirë të botës, bëri që ata të divorcoheshin.
Arsen thotë se ai dhe bashkëshortja bënin vazhdimisht shaka për Messin dhe Ronaldon, por ky Botëror i vuri “kapakun” martesës së tyre. Sipas tij, Lyudmila tallej vazhdimisht me Messin pas dështimit të Argjentinës në Kupën e Botës. Kulmi arriti, thotë ai, në ndeshjen e Argjentinës me Nigerinë, kur gruaja nuk ndalonte së talluri Messin. Ndërsa 40-vjeçari këtë gjë nuk e duronte dot.
“Që kur filloi Kupa e Botës, Lyudmila vazhdimisht tallej me mua dhe lojtarin tim të preferuar, duke thënë se ai luante shumë keq dhe as nuk mundi të shënonte një penallti të rëndësishme që ishte në ndeshjen me Islandën. U zemërova, ndërkohë dhe unë shpreha gjithçka që ndjeja për Ronaldon e saj të bukur dhe kombëtaren portugeze, për atë vet dhe për të gjitha skuadrat e tjera që Lyudmila simpatizon. Pastaj mora gjërat e mia dhe e lashë atë njëherë e mirë“, ka thënë 40-vjeçari për një gazetë lokale ruse.
Të nesërmen ai paraqiti kërkesën për divorc.