Një investigim i fundit i “BBC” ka zbuluar se klubet e “Premier League” nuk janë të varura nga prania e tifozëve në stadiume, pavarësisht se impiantet sportive kanë fare pak vende bosh kur luhen ndeshjet e kampionatit.
Për sezonin 2016/17, kur u shkrua edhe marrëveshja e re për të drejtat televizive, dhjetë nga 20 klubet e “Premier League” mund të kishin dalë me fitim edhe nëse stadiumet do të kishin mbetur komplet të boshatisur.
“Premier League” herë pas here është në faqet e para të gazetave për shkak të parasë që fiton nga të drejtat televizive. Në periudhën nga 2016 deri më 2019, “Premier League” ka fituar plot 6,9 miliardë euro. Kjo do të thotë se fiton 2,3 miliardë euro në sezon.
Kjo është edhe arsye që askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për protestat e tifozëve vitin e kaluar, që pretendonin se çmimet e biletave ishin të larta.