Manchester United u mund 3-2 nga Brighton npor ajo që ishte më e keqe ishte fakti se në fushën e lojës United ishte për tu harruar. Jose Mourinho është në situatë të vështirë. Skuadra e tij pësoi tre gola që në pjesën e parë dhe nuk arriti të ndryshonte më rezultatin pavarësisht një goli shprese nga Romelu Lukaku.
Por kur u duk se pasditja mund të ndryshonte për United, Eric Bailley shkaktoi një faull në zonë duke i dhënë Brightonit mundësinë për të ekzekutuar një 11-metërsh, të cilin Gross e shndërroi në gol.
Në pjesën e dytë Mourinho kreu menjëherë dy zëvendësime duke futur në lojë Rashford dhe Lingard në vend të Matas dhe Pereiras, ndërsa çerek ore më vonë i besoi edhe Maruane Fellainit, por përveç një goditjeje të Pogba nga distanca, United thuajse nuk bëri asgjë për të merituar qoftë edhe një gol. Në minutën e peste shtesë francezi realizoi golin e dytë nga pika e bardhë, pas një penalltie të akorduar nga arbitri i ndeshjes, por nuk mjaftoi që rezultati të ndryshonte.