Festa me shqiponjë e Xhakës dhe Shaqirit, i ka tundur shumë themelet e skuadrës së Zvicrës, duke qenë se lojtarët me dy nënshtetësi, nuk janë më të preferuarit e kësaj kombëtareje. Shkak për këtë, është bërë dyshimi se sa e ndjejnë këta futbollistë fanellën me të cilën po luajnë.
Pak ditë më parë, gazeta më e madhe zvicerane, “Blick” kishte publikuar një shkrim ku raportohej se talenti i Sionit, Bastien Thoma mund të largohet nga Zvicra, duke qenë se Shqipëria dhe Kosova duan ta rrëmbejnë atë. Në komentet e ndryshme në postim, vihet re që tifozët nuk janë në një mendje.
Shumë prej tyre, shprehen se shqiptarët të cilët po largohen, nuk kanë asnjë faj duke qenë se te Zvicra nuk po marrin respekt dhe me shumë të drejtë, mund të zgjedhin kombëtaren e origjinës, e fajin kryesor për këtë, e kanë padyshim drejtuesit e Federatës Zvicerane. Ka edhe shumë tifozë të tjerë, të cilët shprehen se Zvicra nuk ka më nevojë për lojtarë që nuk janë zviceranë, edhe sikur të vijë vetë Ronaldo.
Ata nuk harrojnë pa përmendur edhe festën e Xhakës dhe Shaqirit, ku mes komenteve të shumta, ka nga ata që shprehen se nëse dikush mendon që të festojë dhe njëherë tjetër me shqiponjë, më mirë të largohet vetë nga skuadra.