Interi po kalon një moment të vështirë, pasi ka marrë vetëm një pikë në dy takimet e para të kampionatit, ndërsa nesër në orën 18:00 do të udhëtojë në Bologna, për të gjetur fitoren e parë.
Luciano Spalletti vlerësoi gjendjen e skuadrës dhe deklaroi se kjo situatë fillestare ishte deri diku e parashikuar, për shkak edhe të afrimeve të reja dhe angazhimit në Botëror.
“Unë nuk mendoj se jemi në krizë, por thjesht kemi qenë disi të pafat. Ndaj Sassuolos vuajtëm shumë, ndërsa me Torinon bëmë një ndeshje perfekte deri në një farë pike, për t’u dorëzuar më pas fizikisht. Deri diku ishte e parashikuar, pasi shumë lojtarë erdhën në verë dhe të tjerëve u zgjati shumë eksperienca në Botëror. Gjithsesi duam të rikthehemi, duke filluar që nesër”, deklaroi Spalletti.
Trajneri zikaltër foli edhe për shortin e vështirë në Ligën e Kampionëve, ku pavarësisht kundërshtarëve të fortë në letër, tha se skuadra është gati të luajë shanset e saj. “Në shortin e Championsit vuajtëm faktin që ishim në vazon e fundit. Deri diku e prisnim një short të vështirë, por rëndësi ka që jemi në këtë kompeticion. Më pas do të luajmë ndeshjet tona dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin, duke u nisur nga fakti që kemi treguar se ndaj skuadrave të mëdha dimë të luajmë mirë”, tha trajneri i Interit.