Mbrojtësi me origjinë shqiptare i Arsenalit, Shkodran Mustafi, e ka festuar duke e bërë shqiponjën dykrerëshe golin e shënuar sot në fitoren e Arsenalit ndaj Cardiffit në Premierligë.
Mustafi rrezikon të ndëshkohet për këtë gjest, siç kishte ndodhur me dy shqiptarët tjerë të Zvicrës, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.
Mustafi është përfaqësues i Gjermanisë, vendit ku ka lindur, por ka origjinë shqiptare nga Maqedonia. Ai e festoi golin e shënuar në minutën e 11-të, duke e bërë me duar shqiponjën dykrerëshe.
Shqiponja i ngjan dhe i referohet shqiponjës dykrerëshe në flamurit kombëtar të Shqipërisë.
Mustafi e bëri këtë gjest duke iu drejtuar Granit Xhakës, i cili asistoi te goli i tij në këtë ndeshje.
Sipas rregullave të Federatës së Futbollit të Anglisë (FA) në lidhje me qëndrime politike, Mustafi mund të ndëshkohet nëse vlerësohet se festimi i Mustafit ka paraqitur simbole politike.
Në fillim të kësaj vere, Shaqiri dhe Xhaka u gjobiten për festimet e tyre të ngjashme me të Mustafin, pas golave që ia kishin shënuar Serbisë në fitoren e Zvicrës në Kupën e Botës.