Kampi i futbollit danez është kthyer në një kaos të vërtetë. Kanë mbetur vetëm pa ditë nga zhvillimi i ndeshjeve kundër Sllovakisë dhe Uellsit, të vlefshme për “UEFA Nations League”, situata nuk është aspak e qetë.
Negociatat midis Federatës Daneze dhe sindikatës së lojtarëve (Spillerne) në lidhje me të drejtat e imazhit, kanë vazhduar prej muajsh. Por, Spillerne ka hedhur akuza ndaj Federatës, ku bëhet e ditur që janë tërhequr nga bisedimet.
Federata e futbollit, që është pranë përjashtimit nga UEFA, po punon për të formuar një ekip të përbërë nga lojtarë vendas. Trajneri Åge Hareide dhe stafi i tij, nuk janë lejuar të drejtojnë, pasi do të jetë një skuadër krejtësisht e ndryshme nga ajo e zakonshme. Ndërsa, trajneri i ri mendohet se do të vijë nga ligat më të ulëta të futbollit danez.
Duke folur për mediat daneze, Eriksen u shpreh: “Kemi marrë vesh që Federata po përpiqet të na nxjerrë ne lojtarëve si të pangopur dhe që nuk mendojmë për asgjë tjetër, përveçse xhepit tonë, por jemi ne që çdo vit e nxjerrim me fitime Federatën. Është diçka e papranueshme të dëgjojmë këto akuza kundrejt nesh!”
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që federata daneze bëhet pjesë e një skandali të tillë, pasi edhe vitin e kaluar u anulua një ndeshje e ekipit kombëtar të femrave, e vlefshme për kualifikueset e Kupën e Botës, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e imazhit.