Gjatë ditës së sotme, në Nion të Zvicrës është hedhur shorti i Ligës së Kampionëve për të rinj, ose i njohur ndryshe si UEFA Youth League. Nga kampionati shqiptar, merr pjesë skuadra kampione, Vllaznia.
19-vjeçarët shkodranë kanë njohur sot kundërshtarin me të cilin do të përballen në turin e parë eliminator të këtij kompeticioni. Shorti u hodh nga trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri i cili për Vllazninë ka peshkuar ekipin e largët të Astanës, nga Kazakistani.
Në fakt, mund të konsiderohet një short me fat, duke ditur që mund të kishe përballë edhe kundërshtarë si Dinamo Zagrebi, megjithatë turi i dytë është disi më i vështirë pasi në rast të një kalimi, Vllaznia përballet pikërisht me fituesin e çiftit Vitorul-Dinamo Zagreb.
Ndeshjen e parë, shkodranët e luajnë në transfertë në datën 3 tetor ndërkohë që më 24 tetor, luhet ndeshja e kthimit në Shqipëri.