Pasditen e sotme kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi seancën e dytë stërvitore në kompleksin Tropikal në Durrës në kuadrin e përgatitjeve për sfidën debutuese në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit në Elbasan Arena mbrëmjen e të premtes.
Trajneri Christian Panucci mund të buzëqeshë pas kësaj seance. Trajneri italian ka në dispozicion të gjithë futbollistët pasi me grupin është bashkuar edhe mbrojtësi i Napolit Elseid Hysaj. Rregulla strikte nga Panucci edhe në seancën e dytë me italianin e stolit kuqezi që kërkon nga mediat orarin e lejuar nga ai prej 15 minutash por edhe distancën. Por rregullat e Panuccit i cili në stërvitjen e parë i kushtoi shumë rëndësi repartit të sulmit nuk janë strikte vetëm për mediat por edhe për lojtarët.
Dita e dytë e stërvitjes nisi me një fjalim të shkurtër të trajnerit ndërsa më pas lojtarët u ndanë në grupe me mbrojtësin Mërgim Mavraj që ka vijuar stërvitjen i diferencuar. Të mërkurën Panucci ka kërkuar që seanca stërvitore të jetë me dyer të mbyllura.