Eros Grezda nuk do të jetë në dispozicionin e trajnerit të kombëtares shqiptare, Christian Panucci për dy ndeshjet e radhës. 23 vjeçari vinte pas një dëmtimi nga ku nuk kishte luajtur për asnjë minutë për ish-skuadrën e tij, Osijek.
Por italiani vendosi të rrëzikojë, duke "thyer" nën zë rregullin e tij se në kombëtare vijnë vetëm futbollistët që janë më në formë. Në fakt ky rregull ka shumë kohë që thyhet nga vetë trajneri edhe pse në konferencën e parë si trajner i kuqezinjve tha se do të thërriste në kombëtare vetëm lojtarët më në formë, duke shtuar se nuk ka të paprekshëm.
Por koha ka treguar të kundërtën. Në seancat stërvitore Panucci ka mësuar se nuk mund të mbështetet te sulmuesi i krahut ndërsa vetë lojtarit i duhet për tu bashkuar me klubin e tij Rangers për të finalizuar kalimin e tij në superligën skoceze. Këto ishin dy arsyet e tij nga kombëtarja. Një mundësi më pak për trajnerin Panucci që ishte shprehur optimist për gjendjen e 23 vjeçarit.
Grezda prej dy ditësh është larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar por në Federatën Shqiptare nuk japin asnjë sqarim për largimin e tij. Për më tepër trajneri Christian Panucci nuk dha asnjë informacion rreth formacionit apo largimit të lojtarit. Grezda është nisur drejt Skocisë për tu bashkuar me shokët e tij të rinj, ndërsa dy takimet e kombëtares do t'i shikojë nga televizori, ashtu si Roshi dhe Sadiku, por ndryshe nga këto ai u thirr në kombëtare.