Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e kishte nisur me barazim kampanjën e parë të saj, atë kualifikuese për botërorin “Rusia 2018”.
Kishte barazuar në udhëtim ndaj Finlandës me shifrat 1:1. Më pas i humbi të gjitha nëntë ndeshjet e tjera të atij cikli, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me barazim Kosova e nisi edhe kampanjën e dytë të saj, atë në kuadër të garës së re të organizuar nga UEFA - Liga e Kombeve. Barazoi të premten në Baku ndaj Azerbajxhanit me rezultatin 0:0, në kuadër të Grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve. Liga D është niveli i katërt (i fundit) i Ligës së Kombeve.
Pra, Kosova ende nuk ka fituar ndeshje zyrtare. Këtë synon ta bëjë të hënën (sot) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen kundër Ishujve Faroe.
Për Kosovën kjo është ndeshja e parë zyrtare që e luan në shtëpi, në territorin e vendit. Ndeshjet si vendase të eliminatoreve të kaluar, Kosova i luajti në Shkodër, në mungesë të një stadiumi adekuat në Kosovë...