Prej rreth një viti, në çdo konferencë për shtyp, Kristian Panuçi ka përsëritur vazhdimisht se Shqipëria do të luajë futboll sulmues, se nuk i pëlqen ekipi në mbrojtje dhe se kjo skuadër kishte më shumë potencial me emrat e rinj që do të afronte ai. Por sapo filluan ndeshjet zyrtare, ku rezultatet do të ndikonin edhe në vazhdimësinë e tij në stolin kuqezi, Panuçi jo vetëm iu kthye thuajse të gjithë emrave të De Biazit por edhe skemave mbrojtëse, shumë më të theksuara se të periudhës së paraardhësit të tij.
Një skemë e tillë shumë mbrojtëse do të përdoret edhe sot kundër Skocisë, një 5-4-1 i mirëfilltë ku detyra kryesore do të jetë të mos pësojmë gol, duke shpresuar që të marrim një pikë e cila do të bënte më të thjeshtë vazhdimësinë e Shqipërisë në Ligën e Kombeve e do t’i garantonte Panuçit qëndrimit në pankinën kuqezi.
Kjo është skema që Panucci përdori edhe në minutat e fundit kundër Izraelit, kur tërhoqi skuadrën thuajse plotësisht mbrapa. Sipas “SuperSport”, para Strakoshës do të rreshtohen në qendër Gjimshiti e Veseli, por këtë radhë me asistencën edhe të Mavrajt. Nga krahët e prapavijës, Hysaj dhe Binaku janë dy emrat e konfirmuar dhe të paprekshëm për trajnerin e kuqezinjve.
Ndërkohë, Basha dhe Memushaj do të luajnë në qendër në mesfushë, me Hykën që ruan vendin e tij majtas, si dhe Xhakën djathtas. Ky rreshtim i mundëson Panuçit që të formojë mesfushën me romb në rast nevoje, me Hykën që do të kthehej në një lloj sulmuesi të dytë, pas krahëve të Balajt i cili ka fituar balotazhin me Gurin.