Mërgim Mavraj do të shkelë në Greqi vetëm ditën e premte për t’u bërë zyrtarisht lojtari i Aris të Selanikut, i cili ka përgatitur një prezantim shumë të veçantë për futbollistin e përfaqësueses shqiptare që nënshkroi kontratë dyvjeçare me të pak ditë më parë.
Mediat greke kanë mësuar se lojtari do të shkojë që në mëngjes në klinike për të kryer vizitat e detyrueshme mjekësore para se të firmosë kontratën dhe të udhëtojë t’i bashkohet skuadrës në një panair.
Qyteti i Selanikut pret një nga panairet më të mëdhenj ndërkombëtare gjatë këtyre ditëve dhe klubi ka planifikuar që të premten, e gjithë skuadra të shkojë atje për të bërë foto dhe për të dhënë autografe për tifozët.
Duke shfrytëzuar këtë rast, edhe Mavraj do të prezantohet para turmës së personave të pranishëm në këtë panair, që ai të kuptojë më së miri se çfarë nënkupton klubi i Aris për qytetin e Selanikut.
Mavraj llogaritet që do të qëndrojë pushim këtë javë, pasi nuk pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Levadhiakos, të cilën do ta ndjekë nga tribuna të hënën. Debutimi i tij me Aris pritet në javën e ardhshme. / vipsport