Kilian Mbape ka lënë menjëherë shenjën e tij në futbollin botëror duke fituar Botërorin në Rusi 2018. Por tani ai kërkon të jetë fitimtar në skenën më të rëndësishme edhe me klubin, për të ndihmuar PSG-në të triumfojë në Ligën e Kampioneve.
Në një interviste për “Gazzetta Dello Sport”, ylli francez ka treguar se si po e pret turneun në këtë sezon ku mes kundërshtarëve në fazën në grupe do të ketë Napolin dhe Liverpulin.
“Të luash menjëherë në ‘Anfield’ ndaj një prej ekipeve të mëdha të Europës është momenti ideal për të debutuar me fanellat e reja që kemi. Liverpuli është një prej rivalëve kryesorë, por kam ndjesi të mira para sfidës. Mendoj se jemi gati për diçka pozitive.
Grupi është i komplikuar por vetë Liga e Kampioneve është e tillë. Kundër Napolit do të jetë e vështirë, Ançeloti bën skuadrat të luajnë mirë. Pastaj tifozeria është fantastike. Ndonëse kujtimet e mia nuk janë të mira, pasi me Monakon në vitin 2016 në një miqësore humbëm 5-0 ndaj tyre.
Ronaldo te Juventusi? Blerja e tij ka kthyer futbollin italian përsëri në plan të parë. Seria A kishte humbur pak prestigj, me Ronaldon njerëzit janë apasionuar përsëri pas saj. Me të, Juventus ka një tjetër forcë shtesë. Kjo ishte një marrëveshje fituese për të dy palët, pasi është një mundësi e madhe edhe për të. Bashkë mund të bëjnë gjëra të mëdha edhe në Ligën e Kampioneve. PSG-Juve në finale? Jam gati të vë firmën”, ishin fjalët e Mbape.