Stiven Xherard i dha sot mundësinë Eros Grezdës që të debutonte me fanellën e Rejnxhërs, por sipas tij, mesfushori do të ketë nevojë për pak më shumë kohë që të tregojë vlerat e tij me fanellën e kësaj skuadre. Ish-mesfushori i Liverpulit ka bindjen se Grezda do të tregojë gjëra më të mira kur të jetë në maksimumin e tij.
“Sot ishin vetëm pak minuta në këmbët e tij”, tha ai për debutimin që i mundësoi lojtarit në minutën e 77 në suksesin 4-0 ndaj Dandi. “Ai nuk është gati. Ai është 60%-70% i gatshëm për ndeshje për momentin, ka ende 2-3 javë që të punojmë që ai të jetë gati. Por mendoj se që sot mund të shihnit pak cilësi, pak aftësi të tij. Unë dua një skuadër argëtuese me shpejtësi dhe ritëm. Ai me siguri do të shtojë një gjë të tillë”, tha Xherard pas ndeshjes.
Pritet që edhe në javët në vazhdim, Grezda të fitojë më shumë minuta në radhët e skuadrës, ndërsa më pas të kthehet në një titullar fiks në radhët e Rejnxhërs, pasi Xherard e sheh si pjesë të ekipit të parë.