Policia e qytetit të Valencias është detyruar mbrëmë të rrethojë deri në orët e para të mëngjesit hotelin ku ka qëndruar Juventusi në këtë qytet, para sfidës së Ligës së Kampioneve mes dy skuadrave që luhet sonte në darkë. Shkak është bërë një plan i tifozëve vendas për të mos lejuar ekipin italian që të kalonte i qetë natën para ndeshjes.
Pas mesnatës, rreth 20 të rinj të cilit ishin të gjithë të maskuar me shalle dhe kapuçë në kokë, rrethuan hotelin duke u pozicionuar në anë të ndryshme të tij dhe menjëherë filluar të hidhnin fishekzjarrë që shkaktonin shumë zhurmë. Ata më pas nisën kore kudnër futbollistëve të Juventusit në momentin që këta të fundit u shfaqën në dritare për të kuptuar se çfarë po ndodhte, ndërsa shpalosën edhe një parullë “Juve M…”.
Plani funksionoi vetëm pak minuta, pasi policia e Valencias, e njoftuar për ngjarjen, erdhi menjëherë pranë hotel “Westin” dhe e rrethoi atë me forca të shumta. Mediat spanjolle tregojnë se të rinjtë u larguan në drejtim të panjohur, por rrethimi i policisë bëri që ngjarje të tilla të mos përsëriteshin më gjatë natës.