Mesfushori i Zvicrës me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, e shijoi për herë të parë stadiumin e Liverpoolit, Anfield, në një ndeshje të madhe në gara evropiane dhe mbeti mjaft i kënaqur me pritjen nga tifozët.
Mbrëmë, Liverpooli u ndesh me Paris Saint-Germainin për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Anglezët e fituan ndeshjen me rezultat 3-2, pas golit të fitores të shënuar në minutat e fundit nga Roberto Firmino, transmeton Gazeta Express.
Shaqiri nuk ishte startues por ai u fut në ndeshje në minutën e 85-të, pak para se të shënohej goli i fitores nga Firmino.
“Ishte thjesht e mrekullueshme. Gjithmonë është kështu kur shënohet goli i fitores para tifozëve, të cilët ishin të mrekullueshëm. Ata na mbështetën deri në fund. Ishte një fitore e mrekullueshme për të gjithë”, ka thënë Shaqiri.
“Unë e ndjeva këtë gjatë ndeshjes, se sa të zhurmshëm janë tifozët. Ishte një ndeshje e mirë për ta shikuar dhe në luajtëm mirë për plot 90 minuta. Ne e dinim se PSG-ja është skuadër e mirë. Nuk mund të bënim gabime të vogla sepse PSG-ja janë një ndër skuadrat më të mirë dhe do ta shfrytëzonin çdo gabim tonin. Ata shënuan kështu golin e barazimit”.
“Por, ne tentuan deri në fund dhe e merituam të fitojmë sepse nëse do të kishim barazuar, do të ndiheshim shumë të mërzitur. E merituam të fitojmë për performancën e mrekullueshme që bëmë”.
Shaqiri ende nuk e ka startuar asnjë ndeshje që nga fillimi i sezonit të ri për Liverpoolin, ku u transferua gjatë afatit kalimtar të verës. Megjithatë, ai është i bindur se është i nevojshëm për skuadrën e tij.
“Skuadrës i nevojiten të gjithë lojtarët. Për të qenë të suksesshëm gjatë një sezoni, çdo lojtar është i vlefshëm. Do të kemi shumë ndeshje të vështira, kështu që të gjithë duhet të jemi të gatshëm”, është shprehur Shaqiri.
“Kemi një skuadër shumë të mirë dhe të gjithë mund të luajnë. Çdo lojtar do të jetë i rëndësishëm gjatë sezonit”.