Pas takimit të djeshëm në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Tiranë, në lidhje me derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani, FSHF ka iniciuar sot një takim të dytë në zyrat e saj nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, përfaqësuesve të klubeve respektive të kryeqytetit, Tiranës e Partizanit, shefit te Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, si dhe autoriteteve të sigurisë private.
Si një çështje shumë sensitive për garantimin e sigurisë publike për specifikën e një ndeshje të tillë derbi, sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku u solli edhe një herë në vëmendje palëve angazhimin e tyre maksimal, për mbarëvajtjen e një takimi të tillë. Ai ftoi përfaqësuesit e klubeve të gjejnë dakordësinë e tyre në lidhje me vendqëndrimet e tifozerive përkatëse, teksa nga ana e tij Drejtori i klubit Tirana,
Arbi Laçi garantoi marrjen e masave totale për të mos patur asnjë problematikë serioze mes tifozerive gjatë derbit. Gjithashtu sekretari Shulku ftoi klubet të vazhdojnë komunikimet e tyre sensibilizuese me tifozeritë respektive për të shmangur çdo incident të mundshëm që do t’ia cënonte bukurinë një derbi të tillë.
FSHF nga ana e saj do të vazhdojë të ndjekë me kujdesin maksimal çdo detaj organizues për një ecuri sa më normale të takimit. Ajo gjithashtu kërkon një vigjilencë të madhe edhe nga forcat e policisë së shtetit, të cilat edhe pse nuk do të jenë brenda perimetrit të stadiumit, sërish ftohen të jenë në gadishmëri të plotë për çdo eventualitet.