Kategoria Superiore rikthehet sot me 4 nga 5 takimet e javës së 7, të cilat do të luhen në dy fasha oraresh.
Pas konfirmimit të Ze Marias, Tirana do të udhëtojë drejt Fushë Krujës, ku në stadiumin “Redi Maloku” do të përballet me skuadrën e Kastriotit, në orën 13:45, në një sfidë ku 3-pikëshi duhet marrë patjetër..
Po në të këtë orar, në Laç vendasit e drejtuar nga trajneri Mërgjyshi do të presin Flamurtarin e Vlorës. Kjo sfidë ka krijuar polemika në vitet e fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, edhe sot pritet të ndiqet me një interes të madh.
Luftëtari i Gjirokastrës do të përballet sot me Kamzën, dy skuadrat e vetme që kanë ndërruar timonierët me të cilët startuan sezonin dhe presin të bëjnë kthesën e madhe, për t’u shkëputur nga fundi i renditjes.
Ndërsa vetëm 3 orë më vonë, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, Partizani kryesues do të presë Teutën e Durrësit, në një sfidë ku të besuarit e Gegës do të kërkojnë të konfirmojnë momentin e mirë që po kalojnë.
Ekipi kryeqytetas vjen pas triumfit në derbi dhe këtë sezon nën drejtimin e Gegës po shfaq një disiplinë taktike për t’u admiruar, ndaj jo më kot është skuadra me mbrojtjen më të mirë, me vetëm një gol të pësuar.
Por përballë do të gjejë Teutën, një tjetër skuadër që kujdeset shumë për lojën në prapavijë, ndaj duke qenë se iniciativa do të jetë e “të kuqve”, nuk përjashtohet edhe surprizat. Edhe Teuta vjen me moral të lartë në këtë takim, pasi arriti të mposhtte Skënderbeun në fundjavë, me rezultatin bindës 2-0.
Sfida e fundit ose siç quhet ndryshe supersfida e kësaj jave, ndeshja Kukësi-Skënderbeu do të zhvillohet nesër, ku të dyja ekipet do të synojnë një fitore të thellë për të bërë të mundur kalimin në krye të renditjes.