Cristiano Ronaldo duket se nuk i merr fare për bazë akuzat e bëra nga Kathryn Mayorga për përdhunim. Portugezi ishte i pranishëm në tribunë mbrëmjen e djeshme duke ndjekur ndeshjen që Juventus e fitoi me rezultatin 3-0 ndaj Young Boys.
Pranë tij ishte e fejuara bukuroshe, Georgina Rodriguez, nëna e tij Dolores Aveiro dhe djali i madh, Cristiano Junior. Kjo është hera e parë që Ronaldo del para publikut që pas skandalit që ka shpërthyer në media lidhur me akuzat që i janë bërë nga një shtetase amerikane për përdhunim.
Ditën e djeshme autoritetet në Las Vegas kanë rinisur hetimet për çështjen në fjalë, ku ish-ylli madrilen akuzohet për përdhunim. Sipas mediave amerikane, vajza ka telefonuar policinë pas momentit të përdhunimit dhe kur uniformat blu kanë mbërritur në hotel lojtari nuk ka qenë aty dhe vajza nuk ka pranuar të rrëfejë emrin e tij.
"The Sun" ka tentuar të komunikojë me avokatin e vajzës dhe sulmuesit luzitan, por këta të fundit nuk kanë pranuar të japin asnjë koment rreth kësaj çështjeje. Pavarësisht kësaj, Ronaldo në një komunikim ‘live’ me fansat në ‘Instagram’ ka mohuar të ketë bërë diçka të tillë, madje ai pohoi se po përdorin emrin e tij për famë.