Ky sezon në Superiore parashikohej shumë i vështirë për skuadrat, sidomos për ata që duan të dalin kampione të Shqipërisë. E parashikimi po rezulton i saktë, pasi pas javës së shtatë, janë 4 skuadra në krye të renditjes.
Partizani udhëheq, pasi ndodhet në krye, me plot 16 pikë. Nën drejtimin e Gegës, Partizani duket shumë më ndryshe se sezoni i kaluar dhe është realisht një nga pretendentet për tu shpallur kampione.
“Demat e kuq” ndiqen nga Skënderbeu, që fitoi sfidën e fundit të javës së shtatë kundër Kukësit, 1-0. Ky sukses i ngjiti korçarët në kuotën e 14 pikëve, në vend të dytë.
Kukësi zbret në të tretin pas kësaj humbjeje, në kuotën e 13 pikëve, aq sa ka dhe Laçi i Artan Mërgjyshit, që mbetet ende e vetmja skuadër e pamposhtur.