Shqipëria është drejtuar me sukses në 5 vite nga Xhani De Biazi por meritë shumë të madhe në të gjithë sukseset e saj kishte padyshim edhe Paolo Tramexani. Asistenti i De Biazit ka qenë ai që ka bërë gjithë punën e kërkimit të lojtarëve nëpër Europë, duke shkuar t’i takonte personalisht për t’i bindur të vishnin fanellën kuqezi.
Ndaj me siguri ai është çuditur disi kur ka parë Kastriot Dermakun të përfundonte në grumbullimin me Kosovën një muaj më parë, pasi lojtari që tre vite më parë kishte qenë një nga emrat e ”piketuar” nga Shqipëria, ku lojtari vendosi të kthehej pasi u ftua nga Panuçi.
Sipas Tramexanit, asokohe nuk bëhej fjalë për një vëzhgim të thjeshtë, pasi ai do të kishte qenë pjesë e planit të së ardhmes kuqezi, ku De Baizi kishte ideuar ndryshimin e skemës së lojës duke kaluar nga ajo e zakonshmja 4-5-1 në mbrojtjen me tre.
“Dermakun e njoh shumë mirë, se kur isha në Kombëtare me De Baizin tre vite më parë, e kisha ndjekur kur luante te Lukeze. E kisha takuar, ishte një djalosh si cili shihej se për aftësitë individuale e teknike apo për rolin, me siguri do ta kishim ftuar në të ardhmen. Ne duhej të kalonim nga mbrojtja me 4 në atë me 3. Më bëhet qejfi që edhe ai po gjen hapësira në arenën ndërkombëtare se është një mbrojtës i mirë”, ka treguar Tramexani për mediat pranë skuadrës së Kozencës, ku luan aktualisht mbrojtësi.
Nëse Dermaku ka pranuar të kthehet te Shqipëria se Panuçi po mundohet të vërë në zbatim planin fillestar te De Biazit, apo nëse mbrojtësi mendon se mund të fitojë një vend në qendër të prapavijës para Mavrajt, Gjimshitit e Veselit, kjo mbetet për t’u parë në vijim.