Vlonjatët kanë barazuar sot Kamzën me rezultatin 2-2 në një sfidë interesante që i pati të gjitha, golat, spektakël por edhe momente kontestimi. Vendasit ishin të parët që kaluan në avantazh me anë të Plakut që në minutën e 5'-të, i cili realizoi me një goditje me kokë. Por avantazhi i Kamzës ka zgjatur shumë pak, pasi Bushic ka barazuar gjithçka në minutën e 23'-të. Minutat në vazhdim folën vetëm për Flamurtarin që u përpoq të shënonte edhe golin e avantazhit. Përpos përpjekjeve të shumta, pjesa e parë përfundoi barazim.
Me fillimin e pjesës së dytë, Flamurtari u mundua të gjente sërish golin. Përpjekjet u konkretizuan në minutën e 54-të, ku pas një goditje nga këndi, Avdyli grushton por topi përfundon te Bushiç. Ky i fundit gjuan drejt portës dhe Musta devijon trajektoren duke shtyrë topin në rrjetë. Atëherë kur dukej se Flamurtari do arrinte një fitore me vlera, Kamza barazon me anë të Roloviç. Kundërsulm perfekt i Kamzës. Plaku nis Zisin nga e majta, topi në shtyllën e dytë për Roloviç i cili e shtyn në portën e boshatisur. Me këtë rezultat, Flamurtari ngjitet në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Kamza vazhdon në zonën e ftohtë me 7 pikë.