Laçi e thelloi akoma më shumë krizën te Tirana, që me Ze Marian në stol e ka të vështirë të bëjë dy fitore radhazi në Superiore.
Ekipi bardheblu e kishte mundësinë që t’i bashkohej pjesës së sipërme të renditjes, por dështoi të merrte qoftë një pikë “Selman Stërmasi” me kurbinasit, që u kthyen në shtëpi me maksimumin e mundshëm falë golit të Xhixhës në pjesën e dytë.
Pjesa e parë e takimit ishte shumë energjike nga të dyja skuadrat dhe me raste të shumta, megjithatë Likës iu desh të impenjohej më shumë pas tentativave të Xhixhës dhe Najdenov, ndërsa Blazhevski u duk qartë që në rastet e para që iu paraqiten që ishte në një ditë jo.
Ndërsa 45-minutshi i dytë nisi me kontestime të ashpra të futbollistëve të Tiranës, që pretendonin për 11-metërsh, por gjyqtari Hamiti ndëshkoi me karton të verdhë Blazhveskin për simulim.
Ndërsa vetëm pak minuta më vonë erdhi goli i Laçit me autor Xhixhën, që u tregua i saktë brenda zonës pas një pasimi të bukur të Fangajt.
Ekipi kryeqytetas pati shansin më të mirë të paktën për të shmangur humbjen, fillimisht me Hasanin, që humbi një rast të pabesueshëm dhe më pas kur fitoi një 11-metërsh në minutën e 80-të për ndërhyrje të gabuar ndaj Ngo, por Blazhevski gaboi përballë Selmanit, me topin që përfundon në fundore.