Radha për të dalë para mediave sot ka qenë e një zbulimi të ri të kombëtares. Mbrojtësi i Malmos, Egzon Binaku dhuroi dy paraqitje mjaft të mira në dy ndeshjet e fundit në formacionin e Kombëtares.
Ai u shpreh sot në konferencë për shtyp se në Izrael kombëtarja do të synojë vetëm fitoren. “Atmosfera në skuadër është e mirë. Të gjithë lojtarët i kemi të mirë. Ndaj Izraelit do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar. Me Skocinë nuk kemi luajtur shumë mirë. Megjithatë, tashmë e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të triumfuar. Sigurisht kemi dëshirë të kualifikohemi në grup, në Ligën e Kombeve. Duhet të jemi psikologjikisht mirë. Personalisht jam shumë i kënaqur që më kanë ftuar në kombëtare, që trajneri ka sërish besim tek unë”, tha Binaku.