Neymar kthehet të jetë në qendër të vëmendjes së mediave sportive. Për brazilianin po shtohen zërat që flasin se është penduar për kalimin e tij te Paris Saint German dhe se ka shfaqur dëshirën për t’u kthyer te skuadra e Barcelonës.
E përditshmja spanjolle ‘El Mundo Deportivo’ ka publikuar një artikull në lidhje me këtë dëshirë të brazilianit dhe kjo nuk është hera e parë.
Por që Neymar të kthehet te Barcelona duhet që të ndikojnë një sërë faktorësh. Së pari, duhet që stafi teknik i klubit katalanas ta shohë si të nevojshëm këtë rikthim të tij.
Së dyti, duhet bindur Paris Saint Germain dhe së treti duhet paguar një shumë e majme për riblerjen e kartonit të Neymar dhe për momentin kampionët e Spanjës as nuk e çojnë në mendje të bëjnë një shpenzim të tillë për Neymar, i cili duhet të përmirësojë imazhin e tij, duke qenë se një pjesë e mirë e tifozëve të Barcelonës janë kundër tij për mënyrën sesi ai u largua në drejtim të klubit parizien.
Përfaqësuesit e brazilianit shpeshherë kanë bërë pyetjen se çfarë duhet të bëjë Neymar për t’u kthyer te Barcelona duke lënë të kuptohet se transferimi i tij në Paris ishte i volitshëm në aspektin ekonomik, por jo në atë sportiv.
Ajo që nuk duhet harruar në këtë pikë, është edhe çështja e shifrës së 26 milionë eurove për rinovimin që Neymar dhe babai i tij ia kërkuan Barcelonës, por që klubi katalanas refuzoi t’ia akordojë duke bërë që futbollisti ta denoncojë. Pavarësisht gjithçkaje, te Barcelona rikthimi i Neymar nuk shihet si një mision i pamundur, por një lëvizje shumë e komplikuar.