Bayern Munchen është rikthyer te fitorja që i mungonte që prej 22 shtatorit, kur mposhti Schalke 04 me rezultatin 0-2 në transfertë. Skuadra e Niko Kovaçit triumfoi me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Wolfsburgut, në një sfidë që u vendos prej Robert Lewandowskit.
Polaku shënoi një dygolësh dhe dha një pasim për gol për mesfushorin James Rodriguez në golin e tretë, ndërsa vendasit shënuan me Weghorst. Vlen të përmendet se bavarezët luajtën për një pjesë të mirë të lojës me një lojtar më pak, pasi holandezi Arien Robben u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 57, pas dy të verdhëve.
Borussia Dortmund vijon të ecë me hap kryesuesi, pasi mposhti me rezultatin e thellë 0-4 Stuttgartin, në transfertë. Verdhezinjtë shënuan 3 herë brenda pjesës së parë me anë të Reus, Paco Alcacer dhe Sancho, ndërsa në 45-minutëshin e dytë gjetën golin me anë të Philip.
Bayer Leverkusen shënoi një gol në minutat shtesë dhe arriti të marrë një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Hannoverit, duke shmangur humbjen, por gjithsesi jo krizën e rezultateve. Në barazim, por këtë herë pa gola, përfundoi edhe sfida mes Augsburgut dhe Leipzigut, ndërsa Hoffenhaim triumfoi me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Nurnbergut.