Mesfushori Xherdan Shaqiri ka kontribuar me asistim në golin e vetëm të Liverpoolit që fitoi ndaj Huddersfieldit në udhëtim me rezultatin 1:0.
Shaqiri asistoi për golin e shënuar nga Mohamed Salah në minutën e 24-t të ndeshjes së zhvilluar të shtunën, në kuadër të xhiros së nëntë në Premier Leagues, shkruan sot “Koha Ditore”. Shaqiri luajti gjatë tërë takimit te Liverpooli, ndërsa dha një pasim mjeshtëror për egjiptianin. Ishte paraqitja e tij e parë 90 minutëshe këtë edicion.
Reprezentuesi i Zvicrës u vlerësua lart për paraqitjen ndaj Huddersfieldit, ndonëse në përgjithësi Liverpooli nuk shkëlqeu. Te skuadra e Huddersfieldit titullar ishte Florent Hadërgjonaj. Mbrojtësi i krahut të djathtë luajti deri në minutën e 69-të.
Mediumet në Angli kanë vlerësuar lart paraqitjen e Shaqirit. 27-vjeçari ka kontribuar me dy asistime në pesë paraqitje në Premier League këtë edicion. Liverpooli zë vendin e dytë me 23 pikë, sa i ka edhe lideri Manchester City, kurse Huddersfieldi është në vendin e parafundit me tri pikë.